Partia Demokratike ka reaguar në kundërpërgjigje të deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se në tre vjet qeverisje janë ulur ndjeshëm shpenzimet për shëndetin e shqiptarëve. Reforma në shëndetësi për opozitën është një ndër dështimet më të mëdha të qeverisë.

Albana Vokshi, deputete e PD:

Gënjeshtra më e madhe e Edi Ramës është shëndetësia falas. Këto katër vjet shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësi u rritën. E tregon rritja e perqindjes së kontributeve në buxhet nga 18% (2013) në 25% në 2017. Sot shëndetësia “falas” është bërë shumë më e shtrenjtë. E thotë edhe Banka Botërore në raportin e dhjetorit 2016: mbi 50 për qind e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësi, vinë nga xhepat e tyre. Eshtë kostoja më e lartë në Evropë. Shëndetësia është dështim spektakolar i Edi Ramës. Reforma e Ramës në shëndetësi sollën korrupsionin galopant në Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme me receta dhe fatura fictive – dhe sot s’ka asnjë të dënuar.

Premtimin e kryeministrit për rimbursimin e barnave për 600 mijë shqiptarëve të pasiguruar demokratët e cilësojnë një tjetër gënjeshtër që vjen në prag zgjedhjesh.

Albana Vokshi, deputete e PD:

Meqë tani po vinë zgjedhjet, Edi Rama hapi thesin dhe hodhi gënjeshtrën e radhës me shëndetësi falas: do të paguajë ilaçet e rimbursueshme për 600 mijë qytetarë të pasiguruar. Por në buxhetin e shëndetësisë për vitin 2017 nuk ka parashikuar fond shtesë për këtë gjë, ndërkohë që do të duheshin të paktën 68 milionë euro për t’i rimbursuar.

Demokratët e akuzojnë kryeministrin Rama dhe Ministrin e shëndetësisë Beqaj për abuzime e favore në koncesionin e chec upi-it dhe atë të laboratorëve, për të cilat kanë bërë edhe kallëzime në prokurori./ TV KLAN