shehuPartia Demokratike ka denoncuar sërish sot marrëveshjen e qeverisë me kompaninë çeke CEZ. Deputeti Sherefedin Shehu tha se Shqipëria i kishte të gjitha faktet në favor të saj për të fituar 3 miliard dollarë dhe jo për të humbur 95 milionë euro.

Për këtë Shehu sjell në vemdendje raportin e kompanisë konsulente BDO, e pesta në botë dhe e specializuar për situata të konfliktit tregtar në sektorin energjetik.

Sherefedin Shehu Deputet i PD: “Raporti i përgatitur nga BDO dhe i pranuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare në shkurt 2014, tregon faktin se pretendimet e CEZ mbi qeverinë shqiptare sipas kalkulimeve të saj nuk janë me shumë se 360 milionë euro. Raporti shprehet gjithashtu se “…këto pretendime janë të pajustifikuara, shpeshherë mbivendosen dhe nuk shoqërohen me dokumentacionin përkatës…”

Sipas demokratëve është e papranueshme që qeveria shqiptare hoqi dorë nga arbitrazhi ndërkombëtar pasi faktet do t’i jepnin fitoren.

Sherefedin Shehu Deputet i PD: “Pas këtyre fakteve, me të drejtë tashmë duhet të pyesim Kryeministrin Rama se përse Shqipëria hoqi dorë me kaq zell nga arbitrazhi ndërkombetar? Përse, kur sipas vlerësimeve të eksperteve ndërkombëtare, pretendimet e Shqipërisë ishin më shumë se 5 herë më të larta se pretendimet e vetë CEZ, dmth shanset për të marrë dëmshpërblimin e kërkuar ishin shumë të larta? Përse, kur shkeljet e rënda dhe të njëanshme të kontratës ishin katërcipërisht përgjegjësi e CEZ? Përse u falën këto para të shqiptarëve, të cilat do të përfundojnë tashmë në xhepat e kompanisë CEZ?”

Deputeti demokrat Shehu përmend edhe rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë së fituar ndaj kompanisë çeke CEZ pas vendimit për heqje të licensës.

 

TV KLAN