gentian

Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të tërhequr nga gara kandidatin e propozuar prej saj në Këlcyrë, Gentian Muhameti. Në kërkesën zyrtare nuk jepen arsye për këtë vendim, por burime pranë Partisë Demokratike i thanë Televizionit Klan se, tërheqja erdhi në kuadër të procesit të dekriminalizmit, që kjo forcë ka ndërmarrë edhe brenda radhëve të saj.

Të njëjtat burime thanë se strukturat brenda partisë kanë pasur dyshime për një ngjarje konkrete të ndodhur në vendin fqinj, Itali, disa vite më parë. Kryesia e PD-së i ka kërkuar kandidatit për Këlcyrën, të zbardhë këtë rast dhe të sqarojë pozicionin e tij, por mesa duket, ai nuk mundur ta bëjë një gjë të tillë.

Nuk dihet nëse emri i Gentian Muhametit ka qenë në listën që Ambasada Amerikane i dorëzoi Partisë Demokratike pak kohë më parë, por sot ajo reagoi në rrjetet sociale duke e përshëndetur tërheqjen e kandidatit të opozitës.

“SHBA mbështet përpjekjet në vazhdim për të pastruar politikën në Shqipëri. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndet lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike & partive të tjera mbi dekriminalizimin” – shkruan Ambasada Amerikane.

Në një reagim për mediat, Muhameti tha se figura e tij është e pastër dhe se qëndrimi i Ambasadës Amerikane është parimor dhe jo personal.

Burimet në Partinë Demokratike bëjnë me dije se për Bashkinë e Këlcyrës, opozita do të mbështesë kandidatin e pavarur, Bujar Fezga, aktualisht kryetar i Komunës së Dishnicës, një prej të propozuarve të partisë së Ballit Kombëtar Demokrat në negociatat me PD.

Tv Klan