Një ditë pas denoncimit të bërë nga Kryetari Lulzim Basha, për dhënien e një koncesioni nga qeveria për djegien e mbeturinave në Fier pa hyrë në fuqi ende ligji i miratuar nga Kuvendi, demokratët thonë se kanë nisur të zbulohen arsyet e vërteta se përse Kryeministri Edi Rama riktheu importin e mbetjeve në vend.

“Akoma pa hyrë në fuqi ky ligj, qeveria ka vrapuar të hapë tenderin dhe të japë koncesionin e parë për djegien e mbetjeve. Skandali thellohet kur zbulohet se kompania që ka fituar tenderin është regjistruar për këtë shërbim 15 ditë pas shpalljes së tenderit”.

Sipas Partisë Demokratike, ky tender parashikon edhe djegien e mbetjeve urbane.

“Më datë 28.07. 2016 kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushen e Teknologjise së Informacionit papritur shton ne objektin e aktivitetit te saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme. 

Me 15.09.2016 njoftohet se një bashkim operatorësh ndërmjet kësaj kompanie shqiptare “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e dhe shoqërisë italiane “Energy 2SRL” e specializuar në “green energy”, pa lidhje me riciklimin, kanë fituar garën për kontratën koncesionare me një afat 6 vjeçar”.

Ky tender, sipas demokratëve, është vetëm fillimi i të tjera kontratave koncesionare për djegien e mbetjeve në Shqipëri. Partia Demokratike ka kërkuar referendum për ligjin e mbetjeve, i ka bërë thirrje Presidentit Nishani të mos e dekretojë atë dhe u shpreh në mbështetje të protestave të shoqërisë civile.

Tv Klan