Hapjen e konkursit nga Shkolla e Magjistraturës për për 25 kandidatë për gjyqtarë e prokurorë, Partia Demokratike e quajti hapin e parë të kapjes politike të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca.

Opozita thotë se organizimi i konkursit është në shkelje flagrante të ligjit të sapomiratuar të Vetting-ut, pasi ftesat për konkurs, përpilimi i listave dhe përzgjedhja e aplikantëve janë bërë para hyrjes në fuqi të ligjit.

“Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i këtij organi të proçedojë me pritjen e kërkesave për periudhë kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumentave individuale, të përpiloje listat e më pas të organizojë konkursin duke mos ia mohuar askujt të drejtën për të marrë pjesë. 25 individë të përzgjedhur në terr, pa transparence, por me shumë gjasë sipas prirjeve politike,  pritet të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e nesërm.”

Sipas opozitës, hapi i sotëm është rrënimi përfundimtar i çdo përpjekje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë.

“Sot, është dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit, dhe sot Edi Rama ka bërë hapin e parë konkret e të dukshëm të kapjes së sistemit të drejtësisë.

Ky ligj, ndër të tjera ka parashikuar në nenin 68 pika 2 se Shkolla e magjistraturës ngarkohet të organizojë një konkurs jashtë radhe për 25 kandidatë, gjyqtarë dhe prokurorë.

Sipas këtij ligji, dhe ligjit ekzistues për Shkollën e Magjistraturës, faza e parë e një konkursi të tillë është hapja e procedurës së pritjes së kërkesave të gjithë të diplomuareve, brenda ose jashtë vendit, që janë të interesuar dhe kanë dëshirë të marrin pjesë. Kjo periudhë e pritjes së aplikimeve, sipas traditës pothuajse 20 vjeçare ka qenë bërë transparente për publikun, në median e shkruar dhe atë elektronike, e ka zgjatur jo më pak se 1 muaj. Të interesuarit gjatë kësaj kohe njiheshin me vendet vakante, plotësonin dokumentacionin dhe dorëzonin kërkesat dhe lista e aplikuesve publikohej. Më pas, procedohej me konkursin e testimit të njohurive.

Ndryshe nga kjo praktikë, pikërisht sot, media njofton se Shkolla e Magjistraturës organizon konkursin e pranimit. Pa shpallur paraprakisht dhe publikisht se një konkurs do të zhvillohej. Pa shpallur vendet sipas preferencës në profilin prokuror apo gjyqtar, pa bërë ndarjen e tyre, pa shpallur procesin e thirrjes për aplikime për çdo të interesuar, pa iu dhënë mundësinë të diplomuarve të paraqesin kërkesë. Kjo sepse, ligji vetëm sot ka hyrë në fuqi, dhe se nga sot e tutje duhet të zhvilloheshin këto procedura paraprake.

Listat e aplikantëve askush nuk i ka parë, askush nuk është në dijeni për mënyrën se si ata janë përzgjedhur. Çdo gjë është bërë në terr. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse, çdo veprim qoftë edhe okult i mbledhjes së aplikimeve, përpilimit të listave, përzgjedhjes së aplikanteve dhe ftesës për të marrë pjesë në konkurs, nëse është bërë, është bërë para datës 10 Tetor 2016. Dhe nëse është bërë para datës 10 Tetor 2016, është tërësisht i paligjshëm. Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i këtij organi të procedojë me pritjen e kërkesave për periudhë kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumentave individuale, të përpilojë listat e me pas të organizojë konkursin duke mos ia mohuar askujt të drejtën për të marre pjesë.

Organizimi i konkursit sot, përveçse është një shkelje flagrante e ligjit për Shkollën e Magjistraturës, të ligjit të sapomiratuar të vetting-ut, është hapi i parë dhe konkret i kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Plani i kapjes së sistemit të drejtësisë filloi me kapjen politike të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2014, dhe sot po materializohet me hapin e radhës: 25 individë të përzgjedhur në terr, pa transparencë por me shumë gjasë sipas prirjeve politike,  pritet të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e nesërm.

Hapi i sotëm është rrënimi përfundimtar i çdo përpjekje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë.”/tvklan.al