“Cenohen financat, u jepet mundësia universiteteve private të marrin para nga shteti”

Shtatë vite nga miratimi i ligjit të ri të arsimit të lartë, qeveria miraton aktet nëligjore për të hyrë në fuqi kapitulli i 12 i këtij ligji, që ka të bëjë me krijimin e universiteteve publike të pavarura. Sipas pedagogëve ky vendim mund të sjell problematika për financat e institucioneve publike.

Ky nuk ka lidhje fare me universitetet publike aktuale, por me ato universitete private që do të duan të ndryshojnë formën e organizimit të tyre tregtar që mund të shndërrohet në fondacion dhe nesër të marrin fonde nga buxheti i shtetit, jo vetëm në aspektin e kërkimit, por ndoshta dhe studentëve. Vitin tjetër universitetet publike do të kenë më pak fond në dispozicion nga buxheti i shtetit  se sa ka sot.  Kam frikë se mos kjo do të shndërrohet në një jo konkurrencë dhe mos  na shndërrohet në një monopol”, tha pedagogia Enkelejda Olldashi.

Pedagogët dhe sindikata e punonjësve të arsimit të lartë kanë zhvilluar protestën e radhës para parlamentit, pasi pjesë e seancës ishte dhe buxheti për vitin 2023, duke kërkuar rritje të buxhetit për arsimin e lartë.

Rrritja e buxhetit të arsimit të lartë deri në masën 1% të PBB nga e cila 0.3% të destinohet për kërkimin shkencor, të vlerësohet puna e pedagogut shqiptar me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë. Pagesat e tarifave të shkollimit të studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë se ajo e studentëve në Kosovë. Stafi ndihmës akademik dhe administrativ i universitetit të përfshihen në rritjen e rrogave dytësore si kontribues direkt në krijimin e këtyre të ardhurave”, tha kreu i SPUSH, Sandër Kovaçi.

Pedagogët deklaruan se ata do të bojkotojnë sezonin e provimeve nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre.

Klan News