Peleshi-CuciNë inagurimin e rrugës Pezë e Madhe – Pezë e Vogël  zv/Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi folën për përfitimet që do të kenë Komunat pas miratimit të reformës territoriale.

Niko Peleshi – Zv/Kryeministër: “Nesër në parlament do të miratohet reforma e re territoriale dhe duke filluar nga nesër ju do të jeni pjesë e Tiranës. Kjo e bën edhe më të mundshme që fshati të mos trajtohet vetëm me një rrrugë apo një ujësjellës, por të trajtohet si një kompleks.”

Bledi Çuçi – Ministër për Çështjet Vendore: “Po bëjmë një korrigjim historik, një ndër përfitimet e mëdha të kësaj reforme është edhe kjo gjë. Në varësi të asaj që do administrojmë ne presim të përfitojmë nga 40 deri në 60 milion dollar në vit që do të shkojë vetëm për shërbime dhe investime vendore, një paketë e mirë që në katër vitet e ardhshme i thonë 240 milion dollarë më shumë dhe me këto mund të bëhen shumë gjëra nëpër Komuna e Bashki.”

Niko Peleshi – Zv/Kryeministër: “240 milion dollarë janë baraz me 100 rrugë si kjo.”

Nesër Kuvendi pritet të kalojë në seancë plenare reformën territoriale, që e ndan Shqipërinë në 61 Bashki.

Harta e re ka shkaktuar pakënaqësi tek banorët e disa komunave, të cilët janë shprehur kundër ndarjes së re territoriale.

Një ditë më parë Shoqata e Komunave iu drejtua me një propozim konkret kreut të Kuvendit, Kryeministrit Rama, ministrit Çuçi dhe Kryetarit të Komisionit të reformës territoriale duke propozuar krijimin e 28 njësive të reja vendore, që sipas saj duhet t’i shtohen ndarjes me 61 Bashki.

Tv Klan