Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të palëkundura në mbështetjen e tyre për NATO-n. Deklarata vjen nga Zv/presidenti amerikan, Mike Pence, gjatë Konferencës për Sigurinë në Mynih, me liderët europianë. Mirëpo nga ana tjetër, Pence kujtoi se vendet anëtarë të aleancës ushtarake duhet të plotësojnë detyrimet.

Zv/presidenti theksoi se përveç SHBA-ve, vetëm 4 vende të NATO-s shpenzojnë 2% të Prodhimit Kombëtar për mbrojtjen, siç është vendosur në një marrëveshje të firmosur në 2014-ën.

Është koha të bëjmë më shumë, pasi dështimi po gërryen themelimin e aleancës sonë,

tha numri 2 i SHBA-ve.

Nga ana e saj kancelarja gjermane, Angela Merkel, siguroi angazhim më të madh, duke nënvizuar se kjo është në interesin e Gjermanisë, por edhe të SHBA-ve. Edhe pse ende nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë, Merkel theksoi se përpjekjet për të arritur një raport të mirë do të vijojnë.

Kancelarja gjermane u ndal gjithashtu edhe tek refugjatët nga Lindja e Mesme, për të cilët tha se Bashkimi Europian ka detyrimin t’i mirëpresë.

Islami nuk është burimi i terrorizmit, duhen përfshirë të gjitha shtetet myslimane në luftën kundër së keqes,

tha Merkel.

Tv Klan