“Për ne nuk ka ngushëllim…

”, janë këto fjalët e motrës së Ergi Dinit, këngëtarit 22 – vjeçar nga Shkodra, i cili u nda tragjikisht nga jeta mbrëmjen e së hënës, së bashku me mikun e tij 21 – vjeçar Kejdi Halili.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Barbana Dini shkruajti:

“Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet edhe pse për ne s’ka ngushëllim! Ju lajmërojmë se varrimi bëhet në orën 15:30 në Shkodër”.

motra-ergi

Edhe babai i Ergit, Dashamir Dini, me anë të postimi në rrjetin social njoftoi në emër të familjes ndarjen nga jeta të të birit. Si për ironi të fatit, vetëm dy ditë përpara aksidentit tragjik, babai i këngëtarit kishte postuar një poezi për vdekjen në faqen e tij në Facebook.

“Çast i Keq/Vdekja më vështron me sytë tuaj… Retë dhe pulbardhat digjen nga perëndimi. Mbi buzët tuaja prej lamtumire, më pret puthja e fundit. Hëh! Trendafilat prej gjaku të urrejtjes, do thahen në parvazin e horizontit. Unë pres i veshur me smokingun e zi te muzgut, të takoj ditën tjetër…”

Ergi Dini, fitues i edicionit të tretë i X – Factor Albania në Televizionin Klan udhëtonte me motor sëbashku me mikun e tij Kejdi Halili, në bulevardin Bajram Curri, kur humbën kontrollin dhe u përplasën me rrugën.

Ata lëviznin pa skafandër, e për pasojë morën plagë të rënda në kokë. Të rinjtë u dërguan menjëherë drejt spitalit, në gjendje kritike për jetën, por nuk mundën t’i mbijetojnë plagëve të marra.

Vdekja e Ergit Dinit, i cili u bë i njohur për publikun pas pjesëmarrjes në spektaklin “X Factor” në vitin 2014, ku u shpall dhe fitues ka tronditur mbarë opinionin publik dhe mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta në rrjetet sociale.

ergi

Të shumtë kanë qenë edhe artistët e njohur që kanë shprehur dhimbjen për vdekjen e të riut.

Ardit Gjebrea, në një postim në Instagram shkruajti:

“Dhimbje pa fund për një artist si ty. Ngushëllime nga zemra familjes! Çfarë dhimbje…”

“S’ka pak që mora këtë lajm kaq të hidhur. Pa fjalë. Duket e pabesueshme. Paçka se nuk të njihja nga afër, zërin e talentin tënd ishte e pamundur të mos e duartrokisje fort, ishe kaq ndryshe. . Shumë i ri, ti bashkë me shokun tënd. Zoti ju paste marrë në krahët e tij e u prehshi në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Ergi Dini RIP”,

shkruajti këngëtarja Aurela Gaçe.

Në postimin e saj, Ajtuna Sejdi tha:

“T’njoha në sfidën tënde më t’madhe dhe gëzohem që isha pjesë e saj! Të njoha në rrezet e para të tua të agimit që duhej të ishin dhe të perëndimit, por një ditë, jo kaq herët! Me ty derdha lotët e gëzimit, por këto lot tani nuk janë të drejta! U prehsh në paqe rebeli im kampion sepse e di që engjujt aty lart do kujdesen për ty!”.

“Nuk kam fjalë! Thjesht e tmerrshme! Jam shokuar! RIP Ergi Dini!

”, ishin fjalët e Angela Peristerit, ndërsa Olta Boka shkruajti:

“Zoti e di pse nuk patëm mundësi të emocionoheshim më shumë me zërin tënd që i riktheu buzëqeshjen artit shqiptar! U prehsh në paqe Ergi! Ngushëllime familjes! Ndjej thellë dhimbjen tuaj”.

Këta janë vetëm disa prej artistëve që kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për Ergin, i cili u dallua për zërin e tij të veçantë dhe personalitetin në skenë.

kejdi

Dhimbje e ngushëllime ka patur edhe për 21 – vjeçarin Kejdi Halili, djali i gazetares, poetes dhe pedagoges së Universitetit të Tiranës, Erenestina Halilit. Në të shkuarën, kjo e fundit duke folur në media, e kishte konsideruar djalin e saj si fëmijën më të mirë në botë.

Gjatë paradites qytetarë të shumtë kanë vendosur lule dhe qirinj në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën dy të rinjve. /tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/FsoB2nlxiTs