Ky është momenti kur nga burgu i Peqinin ka dalë ish – prokurori i Krujës, Haxhi Giu, i cili ishte në listën e të dënuarve që përfitoi nga amnistia. 54 – vjeçari u dënua me 2 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e korrupsionit.

Në dalje, ai nuk preferoi të komentonte lirimin e tij.

Por vetëm pak minuta pas lirimit, Giu u rikthye në zyrën juridike të burgut të Peqinit, për shkak të një keqkuptimi në përllogaritjen e ditëve të vuajtjes së dënimit dhe përfitimit të amnistisë. 

Ai konfirmoi për Televizionin Klan se ishte thirrur për t’u rikthyer në institucionin e vuajtjes së dënimit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas sqarimit të situatës, ish – prokurori u la i lirë dhe rikthimi në zyrën juridike ishte vetëm për procedurë.

Në Maj të vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish – prokurorin e Krujës. Giu u arrestua në Dhjetor të vitit 2015, me akuzën se kishte marrë ryshfet 29 mijë euro, për të ndryshuar akuzën ndaj një akuzuari për trafik të lëndëve narkotike.

Tv Klan