Ministria e Financave ka vendosur që të shtrijë faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore edhe për bizneset që kanë anikmuar gjobën, apo tatimin që ka pretenduar administrata fiskale.

Vendimi është firmosur ditën e martë, dhe përfshin të gjithë tatimpaguesit që kanë hapur një çështje kundër drejtorisë së tatimeve dhe doganave. Si këmbim për përfshirjen e kësaj kategorie, kërkohet që bizneset të tërhiqen nga ankimimi që kanë bërë dhe të çojnë një kopje të aktit të tërheqjes nga gjykimi në drejtorinë Rajonale.

Më pas të gjitha veprimet për fshirjen e detyrimeve do të bëhen në mënyrë automatike nga vetë administrata. Udhëzimi përjashton të gjithë kategoritë që kanë marrë një vendim të formës së prerë nga gjykata për evazion fiskal, apo fshehje të ardhurash.

Në total do të fshihen pa kusht 300 milion dollarë, ndërsa 600 milion të tjera do të përfitohen nga biznesi nëse ata paguajnë principalin e shumës të papaguar. Në bazë të llogaritjeve, administrata fiskale pret të mbledhë deri në fund të këtij viti 340  milion dollarë, nëse kërkesa për falje bëhet nga të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime.

Tv Klan