Automjeti që përdorej nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, u dogj në mesnatë duke u gdhirë dita e hënë në lagjen “Beslidhja” të qytetit. Automjetit “Mercedez- Benz”, ML, ishte i parkuar në oborrin e pallatit, kur është vënë re nga banorët se kishte marrë flakë.

Zjarri përfshiu edhe një makinë tjetër që ishte parkuar pranë saj. Menjëherë u lajmërua policia dhe zjarrfikësit të cilët mbërritën më pas në vendngjarje, për të shuar flakët. Ekspertët e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, vunë re se automjeti i kryebashkiakut Frrokaj, kishte marrë flakë në pjesën e përparme pranë gomës së majtë.

Hetuesit morën deklarimet e disa personave, si dhe morën pamjet filmike nga disa kamera sigurie të zonës, për të parë lëvizje të personave të dyshimtë.

Ndërkaq ekspertët piroteknikë pritet të japin edhe një version të tyre në lidhje me shkaqet e rënies së zjarrit. Polica po heton në dy pista, atë të një zjarri aksidental, por nuk përjashton zjarrvënien e qëllimshme.

Automjeti që përdorej nga Frrokaj, ishte marrë në formë huaje përdorimi nga Bashkia, pasi nuk kishte automjet për lëvizje në organikën e kryetarit të Bashkisë. Ky fakt konfirmohet nga kjo kontratë huaje e nënshkruar nga një funksionar i bashkisë si dhe pronarja e mjetit. Bashkia e Lezhës reagoi për rastin. I njëjti fakt u pohua edhe nga një deklaratë e Bashkisë së Lezhës. Ndërkaq kjo e fundit në deklaratë thotë se po pret përfundimin e hetimeve, për zbardhjen e ngjarjes.

Tv Klan