Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin e rrugës “Shefqet Kuka”, si dhe të rrugëve lidhëse në Njësinë Nr. 4, çka u vjen në ndihmë 20 mijë banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi përfundimin e punimeve, ku theksoi se falë investimeve të tilla është mundësuar transformimi i një zone në të cilën nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

“Mbaj mend, jo vetëm në fushatë, po edhe para 6 muajve, kjo ishte një zonë e ngjashme me shumë vende që i kemi parë në dokumentarët për Afrikën. Kur binte shi balta bëhej deri në gju, kur kishte diell pluhuri të zinte fytin. Sot është një situatë krejt tjetër, kemi një rrugë të të gjitha standardeve. Rruga sjell civilizim”,

tha Veliaj.

Ai deklaroi se investime të tilla janë tregues se Bashkia e Tiranës punon me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën cilësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, si në qendër, ashtu edhe në periferi. “

Me sheshin ‘Skënderbej’ që e hapim në 10 qershor japim sinjalin e parë të një Tirane moderne. Por, nuk kemi lënë pas dore asnjë zonë të periferisë, që cilido që rritet në Tiranë të jetë një fëmijë që rritet në një ambient të pastër, të jetë një familje që ka akses në shërbime dhe të jetë një komunitet ku secili përfiton nga investimet e bashkisë dhe jo siç ndodhte më parë, kur investimet ndaheshin në në varësi si kishin votuar qytetarët”

, u shpreh ai.

Duke falenderuar qytetarët për bashkëpunimin në heqjen e pengesave, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje për ruajtjen e investimeve publike si një pasuri e përbashkët. “

U kërkoj të gjithë qytetarëve që t’i ruajmë investimet. Të gjitha janë pronë publike, nga trotuaret, nga shtyllat, nga ndriçimi, pusetat që tani janë plastike, që nuk mund të vidhen për skrap

”, theksoi Veliaj. Ai shtoi se përmirësimi i infrastrukturës ka rritur edhe vlerën e pronës së qytetarëve.

Veliaj garantoi qytetarët se pavarësisht periudhës zgjedhore apo pushimeve të verës, Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë në krye të punëve publike. “

Jam shumë i lumtur që në këto dy vjet kemi ecur me marshin e pestë në Tiranë. Do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë fushatës, edhe gjatë pushimeve, edhe kur të fillojë shkolla sepse vetëm duke punuar çdo ditë sikur është dita e parë e punës, me të njëjtin entuziazëm për të bërë punë të mira në Tiranë, mund ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur”

, sqaroi kreu i Bashkisë.

Paralelisht me ndërhyrjet në rrugët kryesore, Veliaj theksoi se bashkia do të investojë edhe nëpër lagje. “Kemi arritur shumë, kemi shumë ende për të bërë. Me të mbaruar rrugët kryesore do të futemi në rrugët e çdo lagjeje. Nga ana tjetër, e dimë si shkon kjo histori; kemi shumë për të humbur po u kthyem mbrapsht. Ndaj të ecim përpara me punë”, deklaroi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti u shpreh se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës.

“Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës që e mbajti premtimin që na ka dhënë të gjithë banorëve dhe dua t’i bëj një thirrje të gjithë atyre që jetojnë këtu, që sikundër e rikthyem besimin e tyre, besimin që na dhanë me votë në 2015-ën, po ashtu të vazhdojnë tani në 2017-ën, për ta mbajtur Tiranën në punë. Besoj se me punën e të gjithë stafit të përkushtuar të Bashkisë së Tiranës dhe me mbështetjen e qeverisë “Rama” si mbështetje financiare, mund t’ia dalim që edhe këta banorë të kenë të gjitha kushtet për të jetuar dhe për të zhvilluar pronën e tyre”

, nënvizoi Gjylameti.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur ndërhyrja në të gjitha nënshtresat dhe asfaltimi i rrugës “Shefqet Kuka”, e cila ndodhet në Njësinë Administrative 4. Gjithashtu, është punuar për ndërtimin e bordurave si dhe trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor, si dhe për pajisjen me sinjalistikën e plotë rrugore./tvklan.al