Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi pasdite një takim me Ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu dhe Ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin.

Zyrtarisht mësohet se në takim u bisedua rreth shqetësimit të ngritur nga Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili lidhur me ushtrimin e detyrave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Presidenti Nishani bëri me dije, se duke e konsideruar reformën në drejtësi me rëndësi jetike për vendin, e ka mbështetur që në gjenezë, si nismëtar i procesit, duke kulmuar me miratimin konsensual në Parlamentin shqiptar të paketës kushtetuese.

Presidenti Nishani theksoi se e konsideron shumë të rëndësishme mbështetjen konsensuale edhe të fazës së zbatimit të reformës në drejtësi duke iu përmbajtur detyrimit të të gjitha palëve për të respektuar në gërmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE në realizimin e kësaj reforme përmes një procesi të paanshëm, ligjor dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë.

Tv Klan