Emisioni “Opinion” sonte në orën 21:00 do të sjellë një temë e cila synon të zbulojë më shumë mbi përmasat që ka përgjimi audio dhe video. Në ditët e sotme ai është kthyer në një prej fenomeneve prej të cilit askush nuk shpëton. Të gjithë mund të jenë të përgjuar për qëllime nga më të ndryshmet. Biseda telefonike e zhvilluar mes Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe një ish – Drejtori në varësi të tij do të jetë një nga pikënisjet e debatit.

Regjistrimi audio u transmetua mbrëmjen e djeshme nga emisioni “STOP”. Por disa pjesë të tjera të tij do të vijnë mbrëmjen e sotme në “Opinion” duke hedhur më shumë dritë mbi situatën e rastit konkret. Për këtë, në studion e emisionit do të jenë të ftuar tetë persona, të cilët kanë informacione mbi temën në fjalë.

Por si mund të përgjohet dikush? A mund të jetë kushdo i përgjuar dhe cilat janë mundësitë për të shmangur “të qenit të përgjuar”. Cilat janë mundësitë që të jeni të përgjuar përmes telefonit apo formave të tjera?

Mbrëmjen e sotme, në “Opinion” duke nisur nga ora 21:00 do të sjellim një debat të fortë, sqarues dhe me detaje të reja mbi përgjimet në nivelet e larta të qeverisë. Pjesë e emisionit si zakonisht do të jenë edhe shumë materiale të tjera, të cilat tregojnë raste konkrete përgjimesh apo edhe ju mësojnë apo japin informacion si t’i shmangeni përgjimeve. /opinion.al