Skënderbeu thotë se vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA që  vendosi përjashtimin e tyre për 10 vite nga të gjithë kompeticionet evropiane dhe gjobë prej 1 milion eurosh, është i padrejtë dhe çështjen do ta apelojnë në CAS dhe Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane.

Me anë të një deklarate, zyra për shtyp e Skënderbeut tha se siç edhe

“ishte paralajmëruar nga ana jonë më datë 21 Mars, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave proçedurale të palëve.

Përpara këtij vendimi, Skënderbeu tha se e vetmja mënyrë “

për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane.

Në deklaratë thuhet se është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij.

Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile do të konfirmojë pafajësinë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s dhe çmon se e vetmja arritje e UEFA-s përmes këtij procesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar./tvklan.al