Lëvizja Socialiste për Integrim njoftoi sot përjashtimin nga grupi i këshilltarëve të Agim Krajës dhe Genta Mezinit, dy anëtarët e LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët të enjten votuan pro rritjes së çmimit të ujit.

” Grupi i këshilltarëve të LSI vendosi të përjashtojë nga grupi i këshilltarëve të LSI-së, Genta Mezinin dhe Agim Krajën për veprim në kundërshtim me statutin, me programin dhe vendimin e forumeve drejtuese të LSI-së. 

Qëndrimi dhe votimi i tyre në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës të datës 26 korrik 2017 ka qenë tërësisht individual dhe i shtyrë prej interesave korruptive, dhe nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin parimor për bashkëpunim institucional, transparent dhe në shërbim të qytetarëve të shpallur dhe ofruar me shumë seriozitet nga grupi i këshilltarëve të LSI-së. 

 Grupi i këshilltarëve të LSI-së, duke u distancuar qartë dhe prerë nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve, Genta Mezini dhe Agim Kraja u propozon forumeve drejtuese të LSI-së të Bashkisë së Tiranës, që në zbatim të statutit të partisë të përshkallëzojnë masat ndëshkuese ndaj këtyre dy individëve, që më papërgjegjshmërinë e tyre qytetare dhe amoralitetin politik keqpërdorën atributet përfaqësuese të LSI-së, duke trafikuar votën dhe shitur dinjitetin në dëm të interesit të qytetarëve, duke u bërë vegël në duart e atyre që zgjodhën të zëvendësojnë bashkëpunimin transparent e institucional me bashkëpunimin korruptiv individual

, tha në një dalje për mediat Eriona Bixha, koordinatore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të LSI-së në Bashkinë e Tiranës.

Bixha theksoi se vota e Mezinit dhe Krajës ishte në kundërshtim me vendimin politik të LSI. Sipas saj opozita ka mision që të jetë në shërbim të qytetarëve./tvklan.al