Deputeti Petrit Vasili është pezulluar për 5 ditë nga parlamenti. Vendimi është marrë nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Sipas vendimit, Vesili gjatë “leximit dhe interpretimit jo të saktë të  Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat” ka fyer kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Vendimi hyn në fuqi që nga dita e nesërme.

“Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të  Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit të Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.

Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili”, thuhet në vendim./tvklan.al