Shtëpia e Bardhë u vu në shënjestër të kritikave të ashpra, për shkak se nuk lejoi një numër mediash të merrnin pjesë në një sesion të përditshëm me pyetje-përgjigje me sekretarin e shtypit, Sean Spicer.

Disa organizata lajmesh, kritike ndaj presidentit Donald Trump, si CNN dhe New York Times, ishin mes mediave që nuk u lejuan të mbulonin konferencën me gazetarët.

Ndërkaq u lejuan disa organizata mediatike që shihen si më të favorshme ndaj Trump, duke përfshirë Breitbart News, One Amerika News Network dhe Washington Times.

U lejuan gjithashtu disa media si ABC, CBS, NBC dhe Fox. Të tjerë, si Associated Press, refuzuan të marrin pjesë, në solidaritet me ata që u përjashtuan.

Takimi me gazetarët, ku nuk u lejuan kamerat, u mbajt në zyrën e zotit Spicer dhe zëvendësoi konferencën e përditshme të shtypit që jepet në prani të kamerave dhe ku marrin pjesë të gjitha mediat e akredituara.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, organizatë e gazetarëve që mbulojnë presidentin, publikoi një deklaratë ku qortonte ashpër Shtëpinë e Bardhë.

Bordi i Shoqatës proteston me forcë ndaj mënyrës se si po organizohet takimi i sotëm me gazetarët nga Shtëpia e Bardhë,” tha presidenti i Shoqatës, Jeff Mason. “Ne inkurajojmë organizatat që u lejuan të ndajnë materialet e tyre me përfaqësuesit e tjerë të shtypit që nuk ishin të pranishëm. Bordi do ta diskutojë çështjen më tej me stafin e Shtëpisë së Bardhë

,” thuhej në deklaratë.

Editori ekzekutiv i gazetës New York Times, Dean Baquet, tha: “

Asgjë e këtij lloji nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në Shtëpinë e Bardhë, në historinë tonë të gjatë të mbulimit të administratave të shumta të partive të ndryshme

.”

Në një deklaratë, drejtori për marrëdhëniet me median i agjencisë së lajmeve Associated Press tha: “

Associated Press beson se publiku duhet të ketë sa më shumë qasje që është e mundur tek presidenti

.”

Administrata Trump është kritikuar edhe më parë se është përpjekur të anashkalojë disa media që i sheh si jo miqësore./VOA