Gjendja shëndetësore e 9-të grevistëve të fshatit Zharrëz në Fier është përkeqësuar. Edhe pse në ditën e 15-të të grevës së urisë, ata refuzojnë të shkojnë në urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore. Shumë prej tyre po përjetojnë kriza në stomak dhe aritmi zemre.

Mjekët janë detyruar të shkojnë brenda ambienteve të grevës dhe të injektojnë për grevistët serume dhe qetësues. Pavarësisht këshillave të tyre, ata refuzojnë të dalin nga greva pa marrë një përgjigje nga autoritetet vendore.

Banorët kërkojnë largimin e konçesionarit që kërkon naftën, Bankers Petrolium, pasi pretendojnë se tërmetet që shkaktohen në këtë zonë duke dëmtuar banesat e tyre vijnë si rrjedhojë e operacioneve të kërkimit të naftës, por nga ana e saj kompania thotë se janë lëkundje natyrore.

Grupi i punës, i ngritur me urdhër të kryeministrit ka vendosur që dëmet e shtëpive të riparohen nga shtabi i emergjencave civile.

Ende nuk ka një konkluzion se kush është përgjegjës për lëkundjet në këtë zonë por po bihet dakord me kompaninë Bankers Petrolium për të marrë një ekspert të pavarur ndërkombëtar.

Nëse rezultati i ekspertit do të fajësojë Bankers, atëherë dëmshpërblimin duhet ta paguajë kjo firmë dhe masat mund të shkojnë deri në ndalimin e kërkimeve të naftës në zonën e Patoz Marinzës./ TV KLAN