Vatra të reja zjarri u shfaqën gjatë pasdites në disa zona të vendit.  Në malësinë e Krujës një zjarr masiv përfshiu  vargmalet e Skënderbeut.

Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve. Për këtë arsye drejtuesit vendorë kërkojnë ndihmë nga ajri për të izoluar vatrën e zjarrit.

 Një zjarr masiv përfshiu edhe fshatin Kallarat të Vlorës. Flaket janë përhapur ne drejtim te banesave, ndërsa zjarrfikëset ende nuk kanë mundur të ndërhyjnë.

 Emergjencat Civile raportojnë për 25 vatra zjarri të aktivizuara në 24 orët e fundit, në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan dhe Berat.

Më kritike situata mbetet në qarkun e Vlorës, ku numërohen 20 vatra zjarri aktive.

Një helikopter ka shkuar në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe vijon punën, pasi situata duhet mbajtur nën kontroll që zjarri mos të përfshijë Parkun Kombëtar.

3 vatra zjarri janë në segmentin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër në fshatrat e Lumit të Vlorës.

Sipas emergjencave, zjarret janë në terrene të thyera malore dhe ndërhyrja e zjarrefikesve eshte e pamundur.

Nisur nga ky fakt Qendra Kombëtare Operacionale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka kërkuar ndihmën e strukturave homologe të Bashkimit Europian për të shuar flakët në qarkun e Vlorës.

Në Krastë të Elbasanit, Emergjencat Civile thonë se kanë vënë nën kontroll flakët në pjesën e zonave të banuara ndërsa po punohet për shuarjen e plotë të tyre.

Flakët u riaktivizuarn sërish edhe në shkallën e Tujanit në Malin e Dajtit, por pas ndërhyrjes zjarri është vënë nën kontrroll.

E pamundur ka qenë shuarja e flakëve edhe në vendin e quajtur “Gura e Sllatinës” në Peshkopi dhe vatrat e zjarrit janë ende aktive.

Për të përballuar këtë situatë kritike nga zjarret, Shqipëria ka kërkuar ndihmë edhe nga vendet fqinje, Greqia dhe Itali do të sjellin në mbeshtetje të Emergjencave Civile 3 avion zjarrfikës në orët në vijim.

Tv Klan