Janë përkujtuar në Paris 130 viktimat e sulmeve terroriste të 13 Nëntorit të një viti më parë. Në përvjetorin e parë të masakrës, kreu i shtetit, François Hollande zbuloi përkujtimoren dedikuar të rinjve që gjetën vdekjen në teatrin Bataclan.

130 tullumbace janë lëshuar në ajër për të përkujtuar çdo viktimë të sulmeve terroriste.

Nga “Stade de France” e deri në sallën e koncerteve Bataclan, Presidenti Hollande dhe Kryetarja e Bashkisë së Parisit, An Hidalgo vizituan të gjitha vendet që ishin objektiv i sulmeve 13 Nëntorin 2015.

Kryeministri Manuel Valls bëri të ditur se gjendja e emergjencës në Francë do të zgjatet edhe më tej, me arsyen e vetme sipas tij “për të mbrojtur demokracinë”.

sulmet1

Një ditë më parë, teatri Bataclan hapi dyert nën një performancë të artistit britanik Sting, i cili tha nga salla se viktimat duhen nderuar, por edhe duhet festuar për të mbijetuarit.

Teatri Bataclan është një nga vendet më të njohura të ngjarjeve kulturore në Francë. Më 13 Nëntor të vitit të shkuar, ai u kthye në një nga vendet më të përgjakshme në Europë.

130 persona humbën jetën, 90 prej tyre po ndiqnin një koncert në Bataclan ndërsa të tjerët mbetën viktima të sulmeve terroriste, që ndodhën në pjesë të tjera të Parisit.

Tv Klan