permbytjet

Vijon të mbetet problematike situata për shkak të përmbytjeve në jug të vendit megjithëse ka pasur një përmirësim të lehtë për shkak të ndërprerjes së reshjeve.

Sipas Ministrisë së Brendshme mbi 600 shtëpi janë vënë në rrezik nga dalja prej shtratit e Vjosës, Semanit dhe Drinos. Deri në mesditë janë evakuuar mbi 250 familje ndërsa operacioni vijon.

Të paktën 1200 banesa janë të rrethuara nga uji në Novoselë, ndërsa përmbytje ka edhe në Berat, Elbasan, Fier e Gjirokastër, Përmet, ku prurjet e lumenjeve kanë qenë të mëdha.

Ministria e Brendshme thotë se ekziston mundësia e hapjes së portave të HEC – it të Banjës pasi ka prurje të shumta në liqen, e për pasojë mund të përmbyten tokat bujqësore e banesat përreth.

Në Fier janë evakuuar 110 familje në Levan dhe 30 të tjera në Frakull 30 familje, ndërsa 2 helikopterë janë nisur për t’u ardhur në ndihmë 7 banorëve të bllokuar.

Në Vlorë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga lumi Vjosë janë evakuuar 70 familje në Novoselë dhe 40 në Komuna të tjera, raporton MB. E bllokuar është rruga Levan – Novoselë, kalimi bëhet vetëm nga autostrada.

Në orët në vijim zonat e përmbytura do të vizitohen edhe nga kryeministri Edi Rama i cili thotë se strukturat po përgjigjen me efiçencë të plotë.

Në disa akse rrugore të jugut ka probleme për shkak të rënies së inerteve ose daljes së ujit në rrugë. Probleme raportohen edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Ndërsa në juglindje dhe në verlindje kanë nisur reshjet e dëborës. Autoritetet kërkojnë pajisjes me zinxhirë të të gjitha automjeteve që udhëtojnë drejt këtyre zonave.

Tv Klan