Në seancën e sotme parlamentare ka pasur debate dhe replika mes opozitës dhe Kryeministrit Edi Rama për përmbytjet.

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria ka bërë kërkesë në NATO pas përmbytjeve për ndihma ushqimore, ushqim dhe pampers për bebet etj.

Berisha foli dhe për Bypassin e Shkodrës e ndërtuar nga Qeveria Berisha, për të cilën tha se është ndërtuar me asistencën e 3 grupeve europiane.

“Këtu kam dokumentin që shteti i ka kërkuar NATO-s ndihmë për ushqim. Ushqim të konservuar, ushqim për bebet, pampers për bebet. Ky as nuk skuqet, as nuk zverdhet. Ka vetëm një parim, të nxjerrë në çdo fjalë një gënjeshtër. Kjo që pamë me Vjosën është lule çmund të shohim nga përmbytjet në këtë vend. Vendi ka zona të përmbytjeve ndër më të mëdhatë në rajon. Shkodra përjetoi 3 përmbytje gjatë mandatit të qeverisë sonë. Njëriu prej tyre ishte pothuajse apokaliptike, ujërat arritën deri në 2 metra lartësi. Dhe dije këtu o injorant, se nuk u hapën digat, digat e shpëtuan Shkodrën nga apokalipsi. Shkodra u përmbyt nga liqeni. Kurse liqenet e Fierzës ishin shumë nën kuotë.

Janë marrë në Shqipëri 3 grupe më të shquarat në Europë për ujërat. Ambasada holandeze, qeveria britanike, Italia mike solli gjithashtu. Ka konkluzione, dy ishin jetike; ndërtimi i asaj që thua ti digë dhe që ti i ndërpreve financimin Bypassi i Shkodrës, me lartësi me kushte me të gjitha. Bypassi ishte e vetmja rrugë për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Erdhe dhe ndërpreve financimin për Bypassin. ByPassi, thellimi i Vilunit, heqja e pengesave që janë te Buna. Çështja e përmbytjeve është një çështje jetike. Dhe mos luaj me Shkodrën, se Shkodra është në rrezik më shumë se çdo qytetet tjetër në rajon për përmbytjet”,

deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha në Parlament.

/tvklan.al