Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, ka miratuar nisjen e ekipeve për shpëtim në ndihmë të Shqipërisë pas përmbytjeve.

“Republika e Shqipërisë po ballafaqohet me një situatë emergjente për shkak të shirave të pandërprerë dhe sipas parashikimeve të tyre situata sa vjen e përkeqësohet”, thuhet në njoftimin për media të MPB-së.

Si rezultat i kësaj Drejtoria e Emergjencave Civile të Republikës së Shqipërisë, ka kërkuar ndihmë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent/ Ministria e Punëve të Brendshme, për mbështetje në operacionet e shpëtimit me pesë (5) ekipe të shpëtimit dhe tre (3) ekspert për vlerësimin e situatës.

“Ekipet janë të përbëra prej 34 pjesëtarëve të përzgjedhur nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit, të pajisur me mjetet përkatëse për zhvillimin e operacioneve të shpëtimit në ujëra sipërfaqësor dhe kjo natyrisht pa e dëmtuar kapacitetin tonë reagues brenda vendit”./Klan Kosova