Prokuroria prej disa ditësh ka nisur hetimet për përmbytjet tek City Park në autostradën Tiranë – Durrës, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka zbuluar disa detaje.

Gjatë replikave me opozitën në Parlament, Kryeministri Rama deklaroi se shkaktar i përmbytjeve në autostradë, është dora e njeriut.

Sipas Ramës, në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor dhe për këtë ka fajësuar opozitën, për lejet që ka dhënë kur ka qenë në pushtet.

“Ka filluar një hetim për çështjen e përmbytjes te City Parku. Nga të dhënat e para hetimore, atje në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor dhe për dijeninë tuaj lejet e ndërtimit mbi kolektor i kanë dhënë ata që i kanë dhënë gjithmonë, ju! Hetimi do sjellë edhe çuarjen për ndjekje penale për ata që kanë përgjegjësi për atë dëm të vërtetë. Patjetër që ne do të ndërhyjmë për ta rivendosur në vend infrastrukturën në atë zonë, dhe e fundit, nuk janë hapur rezervuare”,

u shpreh Kryeministri Edi Rama në Parlament.

/tvklan.al