GazaTeksa lufta dhe gjakderdhjet në Gaza vijojnë, diplomacia ndërkombëtare është në luftë me kohën për të ndalur thellimin e bilancit të viktimave që për 14 ditë i kanë marrë jetën mbi 600 njerëzve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombëve të Bashkuara Ban Ki Moon mbërriti në Tel Aviv, ku u takua me Kryeministrin Banjamin Netanjahu. Ai i kërkoi Kryeministrit izraelit, ndaljen e menjëherëshme të ofensivës ushtarake dhe të kenë “vetëpërmbajtje maksimale”.

Ndërsa palestinezëve, Ban Ki Moon u bëri thirrje të heqin dorë nga dhuna dhe të njohin shtetin Hebre.

Përpjekjeve diplomatike të nivelit të lartë për arritjen e këtij armëpushimi i është bashkuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Nga Kajro ku mbërriti të hënën, Kerri tha se vlerëson planin egjiptian të paqes, si bazën e armëpushimit mes Izraelit dhe HAMAS-it. Kerri tha se Shtetet e Bashkuara kanë akorduar një ndihmë prej 47 milionë dollarësh për përballimin e situatës emergjente humanitare.

Luftimet vijojnë të jenë të ashpra në terren. Tmerin që po përjetojnë banorët e Gazës e vërteton edhe një video. Përveç shkatërrimit total të zonave të banuara, në imazhe është fiksuar edhe vrasja e një aktivisti, i cili bashkë me një grup personash të tjerë po lëvizte mes rrënojave të ndërtesave, në kërkim të familjarëve dhe të plagosurve të tjerë nga luftimet.

Por ai humb jetën pasi qëllohet disa herë nga snajperët e ushtrisë së Tel Avivit.

Shifrat, sipas burimeve mjekësore në Gaza llogariten që prej 8 korrikut, kur filluan bombardimet nga toka, ajri e deti nga forcat izraelite. Në mënyrë galopante është rritur edhe numri i refugjatëve – aktualisht mbi 100 mijë, që kanë kërkuar strehë në kampet e OKB.

Gjatë orëve të pasdites një numër i madh kompanish ajrore amerikane kanë vendosur të pezullojnë fluturimet drejt Izraelit për arsye sigurie, veçanërisht pas sulmit më të fundit me predha në afërsi të aeroportit ndërkombëtar Ben Gurion.

TV KLAN