Një makinë policie është përplasur nga një automjet këtë të hënë në Elbasan, gjatë operacionit që po zhvillohej në këtë qytet. Burime zyrtare sqarojnë se ngjarja ndodhi gjatë kohës që policia po shoqëronte një automjet luksoz me vlerë 100 mijë euro.

“Në kuadër të zbatimit të planit – Operacionit “Summer 2017 Elbasani” me qëllim bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara, ditës së sotme gjatë kontrollit të ushtruar në Lagjen “Dyli Haxhire” nga efektivët e policisë në automjetin me targa  AA  040 OJ, mjet luksoz me një vlerë rreth 100.000 Euro, personit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit”,

thuhet në një njoftim të policisë.

Ngjarja ndodhi në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një Patrullë Policie. Një makinë “Audi” është afruar me shpejtësi dhe ka goditur makinën e policisë me targa MB 002 AA, për t’u larguar më pas drejt Tregut Ushqimor.

Policia dyshon se makina “Audi” është e blinduar.

Për ngjarjen në fjalë janë shoqëruar disa persona që kanë qenë në ambientet e tregut. Policia ka rrethuar vendngjarjen dhe po kryen veprimet proceduriale për dokumentimin e kësaj ngjarje.

Mësohet se drejt Elbasanit kanë shkuar RENEA, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, sëbashku me Drejtorin e Forcave Lëvizëse Operacionale, Sokol Bizhga./tvklan.al