Debati për detyrimet e prapambetura  në projektet e rrugëve përplasi ashpër në komisionin e Ekonomisë ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe ish-ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Për ministrin e Financave kërcënimi i borxhit vjen nga detyrimet e prapambetura, të cilat fatkeqësisht, sipas tij, nuk janë ndalur edhe gjatë viteve të fundit. Ahmetaj iu referua periudhave kohore kur në krye të ministrisë së Transporteve ishte ministri i LSI-së, Edmond Haxhinasto dhe tha se të gjithë që shkelin rregullat e buxhetit do të shkojnë të përballen me drejtësinë.

Opozita nga ana e saj ngriti alarmin se niveli i borxhit publik nëse i shtohet paketa 1 miliard euro investimeve me fonde private kërcen në 84% të prodhimit kombëtar. Edmond Spaho tha se FMN ia ka çuar me shkresë këtë parashikim, por qeveria e fsheh. PD kërkoi llogari se përse qeveria merr borxh për të paguar koncesione shërbimesh si ato në shëndetësi dhe jo investime publike, siç përcakton ligji i buxhetit.

Demokratët thanë se e kanë lënë borxhin 62% dhe sot ai është 73%. Ata kërkuan llogari se përse qeveria ka rritur këtë tregues, ku edhe nëse përfshihen detyrimet e prapambetura, shifra nuk shkon më shumë se 68% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tv Klan