Një efektiv policie është arrestuar në flagrancë në Dibër pasi është bërë pjesë e një sherri mes militiantësh të dy partive. Në pranga është vënë 26-vjecari Demir Deda, punonjës policie në portin e Durrësit.

Sipas policisë në fshatin Ushtelenxë, orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure po ndodhte një konflikt mes simpatizantëve të dy partive.

Blutë kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë shmangur incidentin. Pas kontrolleve të ushtruara në dy mjete është konstatuar një pistoletë në mjetin ku ndodhej punonjësi i policisë. Ministria e Brendshme, në një njoftim zyrtar tha se Deda ishte përfshirë në fushatën elektorale të PDIU-së, duke shkaktuar incidente me subjekte të tjera politike.

 26 – vjeçari e ka justifikuar me faktin se është arma e shërbimit dhe e ka me leje. Pavarësisht dëshmisë, ai është prangosur për akuzën e shpërdorimit të autoritetet policor. Në prokurori janë referuar materialet edhe për tre shtats të tjerë, por që hetohen në gjendje të lirë.

Po për përfshirje në fushatën e PDIU –së, me kërkesë të Ministrit të Brendshëm u shkarkua menjëherë nga detyra efektivi i Gardës së Republikës, Florian Lala.

Tv Klan