Rama: Më të pakta se në 2010. Berisha: U përmbytën në pabesi

Mazhoranca dhe opozita mbajtën një minutë heshtje për babë e bir, Pjetër e Xheson Rushaj që humbën jetën pasi makina me të cilën udhëtonin u morr përpara nga prurjet e një përroi në Malësinë e Madhe, por nuk u pajtuan tek përmasat dhe përgjegjësia e përmbytjeve të fundit.

I thirrur nga deputetët demokratë në një interperlancë për këtë çështje, kreu i qeverisë Edi Rama për të bërë ndryshimin në administrimin e situatës solli dhe një herë në vëmendje përmasat e përmbytjeve të 2010, kur në qeverisje ishin demokratët.

Ferdinand Xhaferaj: Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite?

Edi Rama: Të gjitha zonat të cilat shumë më pak se më parë u identifikuan si zona kritike në përmbytjen e fundit, sot nuk janë më zona kritike.

Rama nuk pranoi kërkesën e opozitës për shpalljen e gjendjes së emergjencës për përmbytjet, sepse sipas tij në Shkodër ka pasur vetëm 30 banesa të përmbytura dhe 15 në Durrës.

Në replikën jashtë sallës së Kuvendit Berisha tha se Rama i përmbyti qytetarët në pabesi.

Sali Berisha: Hapi të gjitha tunelet dhe portat dhe krijoi dallgë përmbytëse të atillë që nuk e kishte parë ndonjëherë Shkodra dhe Nënshkodra.

Për përballimin e pasojave të përmbytjeve opozita ka propozuar krijimin e një fondi rezervë nga KESH për dëmshpërblimin e banorëve të prekur.

Tv Klan