Përmbytjet sistematike dhe shkalla e lartë e dëmeve, sipas urbanistëve nuk është vetëm si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë. Ata pohojnë se ne jemi duke paguar tashmë faturën e sjelljes barbare me territorin, duke ndërtuar në mënyrë kaotike nëpër fusha e qytete, duke shkatërruar edhe sistemim e kullimit.

Në mënyrë sistematike, mijëra hektarë tokë, nga ultësira e Shkodrës e deri në qytetin e Vlorës, mbulohen nga uji, duke shkaktuar miliona euro dëme. Por a janë vetëm reshjet e dendura përgjegjëse për shkallën e lartë të dëmeve? Urbanistët mendojnë se ne po marrim pas faturën e sjelljes tonë gjatë këtij çerekshekulli, veçanërisht më ndërtimet kaotike në fshatra e qytete.

“Zonat rurale janë ndërtime që janë bërë pa kriter dhe janë bërë në mënyrë informale. Popullsia rurale ka ndërtuar sipas qejfit të vet dhe pa respektuar fare rregullat e urbanistikës”.

Por problemi i ndërtimeve sipas urbanistit Armand Vokshi është prezent edhe në zonat urbane, në të cilat edhe pse është shmangur ndërtimi informal, sërish nuk ka hapësira të mjaftueshme për dekantimin e ujit në raste emergjence.

“Duhen lënë brenda qytetit dhe parqe të ndryshme, por dhe kur ndërtohet të lihet një pjesë sipas rregullave dhe parametrave europianë që shërben për thithjen kapilare të ujit”. 

Në mungesë edhe të pastrimit të kanaleve kulluese të cilat janë kthyer në kosha mbeturinash, sipas Vokshit për këtë problem të post komunizmit nuk duhen bërë me faj vetëm reshjet e shiut, por vëmendja duhet kthyer tek mënyra se si ne kemi ndërtuar e vazhdojmë të ndërtojmë.

Burimi: Klan Plus