Përshkallëzohet dhe më shumë tensioni mes Turqisë dhe NATO-s me vendimin më të fundit të presidentit turk Erdoan, i cili ka vendosur të tërheqë 40 ushtarë nga një trajnim i përbashkët në Norvegji.

Presidenti turk Erdogan vendosi të tërheqë 40 ushtarë të impenjuar në ushtrimet e aleancës atlantike në Norvegji pasi themeluesi i vendit Mustafa Kemal Ataturk dhe vetë Erdoan janë cilësuar si armiq në një hartë, gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vendosi të hetojë ngjarjen duke i kërkuar falje qeverisë së Ankarasë për incidentin.

Por pavarësisht kësaj, Erdoan urdhëroi tërheqjen e menjëhershme të ushtarëve turq nga stërvitja e përbashkët e NATO-s.

Ministri norvegjez i Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë incidentin. Turqia është në një moment shumë delikat për sa i përket marrëdhënieve me NATO. Anëtarësimi i saj në Aleancën Atlantike është vënë në provë nga kontakte të vazhdueshme me Rusinë e Vladimir Putin sidomos kur në muajin shtator Ankaraja bëri të ditur se është e interesuar në blerjen e disa raketave mbrojtëse nga Moska.

Aleanca Atlantike bëri të ditur se ka pezulluar nëpunësin civil, i vendosur në dispozicion nga Norvegjia dhe që nuk është pjesë e personelit të NATO-s, i cili përdori emrat e Ataturk dhe Erdoan në hartën e armiqve.

Forcat e Armatosura Turke përfaqësojnë forcën e dytë më të madhe të Aleancës Atlantike pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vendosur në gadishmëri më shumë se një milion ushtarë

./abcnews.al