Para ambasadës së Serbisë në Shkup situata momentale është normale. Gjithsesi sipas informacioneve që kemi ka nisur kthimi i personelit diplomatik nga Beogradi. Jozyrtarisht mësohet se brenda objektit të ambasadës ndodhen tre pjesëtarë të personelit diplomatic dhe pritet që pjesëtarët tjerë të kthehen gjatë ditës.

Kryeministri Zaev edhe sot, dy ditë para takimit me homologen e tij, Ana Bërnabiq përsëriti gatishmërinë e Qeverisë që miqësisht ta zgjidh problemin me fqinjin serb.

“Gjithçka që deklaruam ishte përmes kumtesave, përmes deklaratave të Ministrit për Punë të Jashtme, zv/kryeministrit për Çështje Evropiane. Unë vetëm do të mund të shtoja: Fjala e mirë dhe miqësia e sinqertë i zgjidh problemet”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.

Ashtu siç paralajmëroi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimin e së shtunës kryeministrja, Bërnabiq do të kërkojë nga Zaevi mbajtjen e seancës së përbashkët të dy Qeverive. Vuçiç sot takoi ambasadoren e Maqedonisë në Beograd, Vera Jovanovska Tipko, me të cilën biseduan edhe për mbajtjen sa më parë të Komitetit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik. Ndryshe, diskutimi rreth situatës së krijuar midis të dyja vendeve nesër do të realizohet në nivel të shefave të diplomacive, Nikolla Dimitrov dhe Ivica Daçiç në Nish./Alsat-M