Edhe viti 2017 do t’i kushtohet ndërtimit të shesheve sportive dhe i këndeve të lojërave për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për këndin e tetë të lojërave në njësinë 7, ndërsa pesë të tjerë janë në proces pune, duke ofruar më shumë mundësi për argëtimin e të rinjve dhe fëmijëve. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, jetëzimi i këtij sheshi me kënd sportiv (fushë futbolli) dhe lojëra krijon një mundësi më shumë rekreacioni për të gjitha moshat.

Në përurimin e këndit të lojërave në Rrugën “Kongresi i Lushnjes”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi qytetarët për bashkëpunimin, si dhe shtoi se ndërtimi i parqeve dhe i këndeve të tilla do të vazhdojë të shtrihet në të gjitha njësitë e kryeqytetit.

“E mbaj mend ditën e parë kur erdhëm këtu, kishte shumë dyshime, skepticizëm dhe disa njerëz thoshin me të drejtë: kjo që ka ndodhur në lagje të tjera, po a do të ndodhë edhe në lagjen tonë? Mendoj se e mbajtëm fjalën! Më vjen mirë që pas parqeve që kemi bërë në cepa të ndryshëm të Tiranës, pas atij te Parku i Liqenit, erdhi koha që edhe në Njësinë 7 të kemi një kënd lojërash. Do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera, derisa të sigurohemi që çdo fëmijë që rritet në Tiranë, të ketë një vend ku të luajë afër shtëpisë së tij”,

tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi edhe donatorët për gatishmërinë dhe angazhimin social të treguar në ndërtimin e këndit të fëmijëve.

parku-8

“Dua shumë që ta ruajmë këtë investim. Është shumë e rëndësishme që ta harxhojmë kohën duke shkuar në një lagje tjetër për të ndërtuar një kënd të ri për fëmijët e qytetit”,

tha ai.

Veliaj garantoi se investimet e Bashkisë së Tiranës do të vijojnë, dhe se pavarësisht problematikave që ka qyteti, fëmijët do të marrin gjithmonë një vëmendje e veçantë.

“Dua t’i siguroj prindërit, gjyshërit, gjyshet që sa të jemi në Bashkinë e Tiranës, do të investohemi çdo ditë te një qytet më i mirë për fëmijët tanë. E di që qyteti ka shumë problematika, megjithatë besoj se si çdo familje, fëmijët janë të parët, ashtu edhe në familjen tonë të Bashkisë së Tiranës, fëmijët e Tiranës janë të parët”,

tha Veliaj.

Në një sipërfaqe prej 1200 m2, është ndërtuar një fushë futbolli, module të ndryshme lojërash për fëmijë, si dhe janë vendosur shtylla ndriçimi të reja dhe kosha mbeturinash. Përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije). Për ndërtimin e këtij sheshi gjithëpërfshirës, për të gjitha kategoritë e moshave, janë përdorur materiale të certifikuara sipas standardeve të BE-së, kjo për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve.

Pas këtij sheshi, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të inaugurojë pesë kënde të tjera në zonën e Kasharit, Liqenit Artificial, Sulejman Delvina dhe Ali Demi, dhe shpejt do të vijojnë punimet në së paku 3 zona të tjera të Tiranës (në Kombinat – Sheshi Jusuf Dashi; në zonën e Piramidës; Fusha e Aviacionit)./tvklan.al