Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kopshti nr. 60 në kryeqytet hapi dyert për të mirëpritur disa nga më të vegjlit e Njësisë 3. I rikonstruktuar dhe tërësisht modern, kopshti i ri, me mjedise të zgjeruara, do të ndikojë në uljen e ngarkesës në kopshtet e tjera përreth tij. Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e plotë të kopshtit, i cili priti 75 fëmijë të ndarë në 3 grupe, duke shërbyer edhe si kopsht me drekë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe kryetari i Qarkut, Aldrin Dalipi, inspektoi përfundimin e punimeve për transformimin e kopshtit dhe ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre.

“Ky kopësht sjell një çlirim të fluksit për Njësinë 3. Dua të ftoj prindërit që janë të interesuar, të vrapojnë të regjistrohen dhe nga 1 janari do të kemi mundësinë që të ofrojmë edhe shtretërit që janë gati, edhe kuzhinën që është gati. Kopshti do të jetë një kopsht me drekë”

, theksoi Veliaj.

Duke falenderuar ambasadën turke për kontributin e dhënë, Veliaj ftoi edhe ambasadat e tjera që t’i bashkohen nismave të bashkisë për rikonstruktimin e institucioneve arsimore.

“Ky kopësht ka pasur probleme të qenësishme me infrastrukturën, ndërtesën, me themelet, me lagështirën, me kullimin, me gjithë rrënimin që kemi gjetur këtu. Para disa javësh bëmë një kënd lodrash me Ambasadën Çeke, sot një kopsht me Ambasadën Turke dhe duam të ftojmë të gjithë ata që janë miq, që të kenë mundësinë ta tregojnë praktikisht miqësinë dhe mënyrë më të mirë se sa një kopësht fëmijësh, që janë e ardhmja e këtij qyteti, nuk ka”,

u shpreh ai.

Financimet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e kopshteve dhe të çerdheve do të vijojnë edhe për vitin e ardhshëm, ku falë buxhetit të Bashkisë së Tiranës 15% më të lartë, fokusi do të jetë për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve dhe të çerdheve në zonat periferike.

“Ftoj edhe Këshillin Bashkiak ta miratojmë buxhetin e ri, i cili do jetë 15% më i madh dhe do të na mundësojë që të bëjmë akoma më shumë subvencionime në çerdhe e kopshte. Do të thotë që të hapim kopshte e çerdhe të reja në një Tiranë që sa vjen e rritet. Fokusi në dy vitet e ardhshme, edhe me buxhetin e ri, do të jetë për kopshtet e çerdhet në zonat periferike. Falë dashamirësisë së donatorëve, por edhe punës fantastike të QEZHF, tashmë kemi sistemuar kopshte e çerdhet brenda Tiranës urbane. Na duhet që të ofrojmë këto shërbime edhe në Tiranën periferike, që të mos kemi dyndje. Siç po bëjmë me shkollat, ku po ndërtojmë shkolla të reja në këto zona, ashtu do vijojmë edhe me kopshtet e çerdhet

”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se një pjesë e mirë e buxhetit të bashkisë shkon për të subvencionuar shërbimet bashkiake në të mirë të komunitetit. Ndaj, ai ftoi qytetarët që të tregohen të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë rritje taksash për vitin e ardhshëm.

Duke nisur nga kostoja e çerdhes dhe kopshteve, e deri te kostoja e mirëmbajtjes së varrezave, çdo gjë subvencionohet. Prindërit paguajnë vetëm 1/7 apo 1/8 e kostos reale dhe shumica e shërbimeve të bashkisë shkon për të subvencionuar që çmimet të jenë sa më të ulëta dhe sot kemi çmimet më të ulëta në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Duam t’i mbajmë të tilla, por për këtë do të thotë që duhet të paguajmë edhe taksat. Kompanitë, bizneset, sipërmarrësit e mëdhenj, pra ata që fitojnë më shumë do të duhet të paguajnë edhe më shumë. Ne nuk parashikojmë të kemi asnjë rritje taksash, ama për t’i mbledhur do i mbledhim të gjitha”,

u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Duke u shprehur krenar për rezultatin e arritur nga ky rikonstruksion që u garanton fëmijëve të qytetit kushte moderne dhe një shërbim model, ambasadori turk, Hidayet Bayraktar,  shprehu bindjen se ky bashkëpunim i suksesshëm i nisur me Bashkinë e Tiranës do të fuqizohet edhe më tepër në të ardhmen.

“Ne si Republikë e Turqisë, me anë të TIKA-s, mundohemi që të japim kontributin tonë në fusha të ndryshme dhe një nga këto është edhe fusha e arsimit. Është një rezultat që na bën shumë krenar. Bashkëpunimi ynë, sidomos me Bashkinë e Tiranës, do të vazhdojë gjithmonë dhe jemi të hapur që këtë marrëdhënie ta fuqizojmë edhe më tepër”

, tha ambasadori turk.

Kopshti Nr. 60 ka funksionuar më parë si kopësht pa dreke dhe pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e donatorëve, tashmë i ka të gjitha kushtet për të funksionuar si kopsht me drekë. Ndërhyrja solli riparimin e çatisë, instalimin e nyjeve të reja sanitare, si dhe rikonstruksionin e mjediseve me lagështirë.

/tvklan.al