Një nga nismat më emergjente të këtij sesioni parlamentar nuk ka arritur dot të miratohet për shkak të mungesës së opozitës. Komisioni i Ekonomisë nuk mundi të bëjë kourimin e nevojshëm për të miratuar aktin normativ të sigurimeve shoqërore. Pas shfuqizimit të disa neneve të këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese, afati për të bërë deklarimin me skemën e re të qeverisë për pensionistët e punësuar dhe profesionet e lira nuk mund të realizohet dot pasi nuk ka bazë ligjore.

Pas miratimit të aktit normativ nga kuvendi, të gjitha profesionet e lira do të paguajnë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në bazë të vetëdeklarimit të tyre, por jo më të ulët se niveli 22 mijë lekë. Për pensionistët e vetëpunësuar, ligji i detyron ata tashmë që të paguajnë kontribute duke zgjedhur në dy alternativa: ose të marrin pensionin dhe njëkohësisht të paguajnë sigurimet, ose të mos marrin pensionin dhe të paguajnë sigurimet, ku kjo shtesë do t’i llogaritet në të ardhmen për të marrë pension më të madh.

Tv Klan