Drejtorja e Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Alma Muça dhe prokurori Artur Selmani janë pezulluar nga detyra, me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, prokurori Selmani ka mbajtur qëndrim mjaft të dyshimtë në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohej rekursi për vrasjen e 3 fishtë në lagjen Çole të Vlorës, në Prill të 2015, ku humbën jetën tre të rinj.

Prokurori Selmani nuk ka mbështur qëndrimet e Prokurorisë së Vlorës, e cila kërkoi dënim maksimal për autorët në dy shkallët e gjyqësorit. Ai ka kërkuar pushimin e akuzave të rënda për autorët nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e mbrojtjes. Selmani pretendon se për qëndrimet që ka mbajtur në gjykatë, i ka diskutuar me Alma Muçën.

Pas njoftimit të Prokurorisë në Gjykatën e Lartë, këtë të enjtë u zhvillua seanca ku do jepej vendimi. Prokuroria u përfaqësua nga prokurori Adnan Xholi, i cili paraqiti një tjetër pretendim. Në të kërkohej lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila dha dënimin maksimal për autorët.

Në Prill të vitit 2015, në një lokal në lagjen Çole pas një konflikti të armatosur u vranë Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Lima. Për këtë ngjarje u arrestuan Aleksandër Llanaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërsa, 35 vjet u dhanë për Bertil Aliaj dhe Ani Begajn.

Tv Klan