natasha-bertaud

Komisioni Europian njofton se, pezullimi i përkohshëm i sistemit të Shengenit nga Austria është një zgjatje e vendimit për kontrolle të përkohshme në kufinjtë e saj, të marrë në Shtator të vitit të shkuar. Kjo zgjatje parashikohet deri në Shkurt dhe sipas Komisionit Europian, situata është brenda kontrollit.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së: 

“Sipas vendimit që na është komunikuar, Austria ka vendosur që të zgjasë kontrollin e përkohshëm të kufinjtë të saj deri në Shkurt. Pra, nuk është një situatë jashtë kontrollit dhe kjo gjë po ndodh edhe në shtetet të tjera”.

Janë tashmë 7 shtete anëtare të Bashkimit Europian që kanë vendosur kontrolle të përkohshme në kufinjtë e tyre brenda zonës Shengen, për shkak të situatës të jashtëzakonshme lidhur me krizën e emigracionit.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së: 

“Aktualisht kemi 3 shtete që kanë vendosur kontrolle në kufinjtë në bazë të nenit 25 për rrethana të paparashikueshme dhe këto tre vende janë: Norvegjia, Suedia dhe Danimarka. Janë edhe katër vende të tjera që po ushtrojnë kontrolle në kufinjë e tyre në bazë të nenit 24, për rrethana të parashikuara dhe këto janë Austria, Gjermania, Franca dhe Malta. Pra janë 7 shtete aktualisht që po kryejnë kontrolle të përkohshme në kufinjtë e tyre”.

Në gjirin e Bashkimit Europian po rritet gjithnjë e më shumë frika, që këto kontrolle të përkohshme përbëjnë fillimin e fundit të zonës Shengen.

Tv Klan