12 guroret që ushtronin aktivitet për shfrytëzimin e gurit dekorativ në Malin e Tomorit janë pezulluar dhe gjobitur. Këto masa janë ndërmarrë gjatë inspektimit në terren pjese e te cilit ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i cili paralajmëroi ndëshkime edhe me te forta.

 “Janë krejtësisht jashtë çdo parametri mjedisor dhe shfrytëzojnë këto leje minerare në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Prandaj Inspektoriati i Mjedisit do të marrë masa duke i gjobitur ato që sot, duke kërkuar revokimin e lejeve mjedisore për të 12 subjektet dhe po ashtu duke parë të gjitha mundësitë që të 12 subjektet të kalojnë edhe për ndjekje penale”.

Për ministrin Klosi, dëmi i krijuar prej tyre është barbar dhe i pafalshme ndaj edhe premtoi një reforme për sistemin e guroreve ne vend.

“Do të reduktohen në mënyrë të menjëhershme të gjitha lejet mjedisore të dhëna për guroret të cilat janë jashtë kritereve. Do të kërkohet evidentimi i problematikave të gurores, duke parë lejet dhe mënyrën sesi shfrytëzohen këto gurore, pasi këto duhet të kenë një leje të mirëpërcaktuar, mënyrë pune të mirëpërcaktuar dhe mbrojtje mjedisi të përcaktuar me ligj”.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit, paralajmëroi se nuk do të tolerohet më asnjë biznes që shkel ligjet në fuqi dhe se ka ardhur koha që bizneset të zhvillohen në respekt të mjedisit dhe komunitetit.

Tv Klan