Tahirit

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj shefit të Krimeve të Kukësit, i cili një ditë më parë kërcënoi me armë disa protestues që tentuan të bllokonin rrugën e Kombit.

Albion Xhitoni u filmua nga kamerat duke mbushur armën e shërbimit përpara protestuesve, duke i sharë e kërcënuar.

Sjellja skandaloze vijoi me keqtrajtimin e disa protestuesve. Kamerat e televizioneve e filmuan gjithashtu edhe duke qëlluar me grushte një prej organizatorëve, pasi e kishte prangosur dhe e kishte futur në makinën e policisë.

Policia e Shtetit deklaroi një ditë më parë se ai kishte reaguar pasi disa protestues kishin tentuar t’i merrnin armën e shërbimit. Pa kaluar 24 orë, në një njoftim të dytë, policia bëri me dije se ai ishte pezulluar nga detyra, me urdhër të drejtorit të qarkut.

Është pezulluar gjithashtu edhe ndihmës specialisti i krimeve, inspektor Shkëlzen Neza. Ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim disiplinor.

Vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pranoi sot se pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme, ndonëse e konsideroi të paligjshme edhe protestën e banorëve të Kukësit, që kërkonin faljen e kamatvonesave të energjisë elektrike. Sipas tij, edhe sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo, është e papranueshme.

Tv Klan