Banorët e njësive administrative që i janë bashkuar Tiranës pas reformës territoriale, mund të marrin shërbim më të mirë nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë në pikën e re Rajonale, e cila është ngritur në Sauk.

Kjo është e dyta pas asaj që u hap para disa javësh në Njësinë nr. 1 dhe ofron shërbime dinjitoze për qytetarët.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky investim është një risi për banorët.

 “

Kjo është një pikë shërbimesh, e cila tregon se ne kujdesemi për çdo pikë uji në këtë qytet. Shërbimi që ofrohet këtu nga UKT-ja është i njëjtën me atë që ofron një kompani celulare apo një degë e bankës. Dega e UKT-së në Sauk ka disa të mira: së pari, i shërben një komuniteti banorësh që fillon nga Njësia nr. 2 dhe mbaron në kilometrin e 29-të në Krrabë. Pasi kemi ofruar infrastrukturë më të mirë, është e rëndësishme të ofrojmë edhe shërbime dinjitoze. Sot Krraba ka një rrugë të re, pra vjen më shpejt në Tiranë; po ashtu edhe Farka, Bërzhita, Baldushku kanë rrugë të reja dhe qytetarët vijnë më shpejt në Tiranë. Por nuk ka sens që ky komunitet të vijë deri në drejtorinë e përgjithshme të UKT për të sqaruar çdo problem, ndërrim emri apo për të kryer një pagesë. Të gjitha këto shërbime mund t’i marrin këtu në Sauk

”,  tha Veliaj, sipas një njoftimi të shpërndarë nga Bashkia.

 Kryebashkiaku deklaroi se përmes këtij shërbimi shmanget krijimi i radhëve të gjata, ndërsa siguroi se me fillimin e verës, shërbimi do të shtrihet në të gjitha lagjet kryesore të Tiranës për të ardhur më pranë qytetarëve.

 Duke vlerësuar suksesin e arritur me lidhjen e 26 mijë kontratave të reja të UKT, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen korrekt me pagesat ndaj faturave të ujit të pijshëm, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë për investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve.

 Ai kërkoi prej qytetarëve që të raportojnë të gjitha rastet abuzive. “

Ftoj qytetarët të raportojnë për gjitha ndërhyrjet që bëhen në rrjet dhe inkurajoj UKT, që siç i merr në mënyrë të rregullt këto pagesa, të vijojë me marshin e pestë me investimet. Kemi hapur 105 kantiere, më i madhi është në burimin e Shën Mërisë. Mezi presim që pasi janë bërë tunelet, po shtrohen tubacionet, të kemi shtesën e ujit në Tiranë që do të vijë nga ajo zonë”

, tha Veliaj, duke deklaruar se pas përfundimit të investimeve për shtrimin e tubacioneve kryesore, Bashkia e Tiranës do të kalojë në fazën tjetër, atë të shtrirjes në mënyrë kapilare të rrjetit ujësjellës për të plotësuar nevojat që ka kryeqyteti për furnizimin me ujë të pijshëm.

 Në prag të stinës së nxehtë të verës, Veliaj apeloi për administrim më të mirë të ujit të pijshëm. “

Do të hyjmë në një fazë të nxehtë dhe thatësirash, ku do na duhet të administrojmë mirë çdo pikë uji. Edhe në vende shumë më të pasura se ne, nuk e kanë luksin që ujin e pijshëm ta përdorin për rrugën, tapetet apo makinat e tyre të shtrenjta. Besoj se duhet të fillojmë e të sillemi si evropianë

”, theksoi Veliaj.