Të hënën do të rikthehet në debat parlamentar në nivel të komisioneve, projekt – ligji për gjuhët, që ka për bazë zyrtarizimin dhe avancimin e gjuhë shqipe.

Partitë e koalicionit qeverisës theksojnë se sipas procedurave të rregullta, projekt – ligji për shqipen të miratohet në janar ose deri në fillim të muajit gusht.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi në një deklaratë për TV21 ka theksuar se të hënën rikthehet debati në këtë komision dhe pas tri ditësh debat dhe shqyrtim të amendamenteve nga ana e partive politike, ligji do t’i dorëzohet kryetarit të kuvendit për miratimin përfundimtar të leximit të dytë.

“Uroj që kjo të ndodhë brenda vitit por sipas agjendës reformuese, jam i bindur se në mes të janarit e kemi të miratuar dhe në këtë mënyrë rrumbullaksohet Marrëveshja e Ohrit dhe do të arrijmë barazinë gjuhësore, do ta mbyllim një kapitull shumë të rëndësishëm që rrjedh nga M.O dhe nga lufta e vitit 2001”, ka theksuar deputeti Grubi.

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se ligji është pjesë e prioriteteve të tyre dhe se ai duhet të miratohet sa më shpejt, menjëherë pas projekt – buxhetit për 2018.

“Është ligj me prioritet dhe sipas procedurave parlamentare duhet të marrë dritë jeshile, sapo të votohet projekt – buxheti”, theksuan nga Aleanca për Shqiptarët, duke thënë se kjo çështje duhet të marrë fund për të mos u përdorur si kartë politike.

LSDM të pyetur se kur do të miratohet ligji për gjuhët, theksuan për INA se do të respektojnë procedurat parlamentare dhe se nuk mund të konrektizojnë afatet se kur mund të ndodhë kjo. Sipas tyre, me prioritet është projekt – buxheti dhe më pas ligjet që kanë siglën e BE-së, duke përfshirë edhe ligjin për shqipen, që duhet të marrë dritë jeshile.

Projekt – ligji për gjuhët avancon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel institucional qendror, por edhe në komuna. Nga ana tjetër, nuk dihet se çfarë do të bëj VMRO-DPMNE, dhe se a do të kthehen deputetët e saj për të bllokur miratimin e tij. (INA)