Në parkun e Liqenit të Tiranës ka nisur ndërtimi i pistës së vrapimit dhe asaj të biçikletave.  I pranishëm në inspektimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se nëpërmjet projektit të pistës së vrapimit bëhet e mundur krijimi i një itinerari të pandërprerë për këmbësorë përqark liqenit artificial të Tiranës

“Më në fund po mbajmë premtimin tonë për ta kompletuar komplet pistën e vrapimit të Liqenit të Tiranës. Pista e re fillon nga Kopshti Zoologjik, aty ku mbaron diga, dhe deri në kufi me Pallatin e Brigadave, që e kompleton në të dyja anët. Kësaj here do të kemi një korsi të dedikuar edhe për çiklistët, që kushdo që të vijë, qoftë për të ndenjur apo pushuar, qoftë për të vrapuar apo për të përdorur biçikletën, të ketë hapësirën e tij në Parkun e Liqenit, i cili sot numëron 300 mijë vizitorë unik çdo vit”, u shpreh Veliaj.

Sipas materialit të shpërndarë nga zyra e Bashkisë së Tiranës, projekte të tilla do të shtrihen edhe në parkun e Farkës dhe atij të Kasharit.

“Do të vazhdojmë edhe me Parkun e Farkës dhe atë të Kasharit, por duam që të paktën të përfundojmë njërin nga parqet. Pra, të përfundojmë gjithë pistën, të pastrojmë të gjitha ndërtimet pa leje, që do të thotë që të hiqen gardhet e asaj zone që deri dje ka qenë e komunës së Farkës dhe ku zaptimi, tafmaja dhe babëzia ka qenë e përmasave spektakolare”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj tha se kushdo që ka shkelur ligjin me ndërtime pa leje, duhet të marrë masa dhe ta prishë vetë atë, pasi në të kundërt do të procedohet edhe penalisht.

 Tv Klan