geneva-talks-need-iran-saudi.siShtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë përshëndetur vendimin e opozitës siriane për të marrë pjesë në konferencën e paqes Gjeneva 2 qe do të mbahet në fillim të javës në Zvicër.

Sekretari i Shtetit Xhon Kerry e quan këtë vendim një zgjedhje të guximshme që shkon në favor të popullit sirian dhe që i hap rrugën një të ardhmeje më të mirë për Sirinë. Diplomati amerikan garantoi se Shtetet të Bashkuara do të mbështesin opozitën siriane në bisedimet e paqes me qëllim arritjen e një marrëveshje që do t’I japë fund konfliktit dhe do të çojë drejt një zgjidhje politike.

Ndërsa ministri i Jashtëm britaniak, Uilliam Heig vlerësoi vendimin e vështirë e të opozitës siriane duke thënë se e ardhmja e Sirisë nuk mund të kuptohet më me Bashar Al Asadin në krye.

 Vendimin e opozitës siriane e ka përshëndetur edhe  ministri i jashtëm Francez Loran Fabius, i cili tha se vendi i tij do të angazhohet për krijimin e një qeverie tranzicioni që do të ketë të gjitha atributet deri në përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas tij pavarëisht akteve të dhunshme të regjimit të Asad ky vendim është një mundësi për të arritur në një zgjidhjen paqësore të konfliktit.

Javët e fundit Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca ushtruan presion të vazhdueshëm mbi drejtuesit e  koalicioni kombëtar sirian për të marrë pjesë në bisedimet e paqes që do të nisin të hënën në Montre të Zvicrës.

Në votimin e fshehtë që u zhvillua të shtunën në Stamboll, 58 anëtarë të koalicionit kombëtar sirian votuan pro pjesëmarrjes në bisedimet e paqes, 14 kundër dhe një abstenoi.