Një grua ka mbetur e plagosur me armë zjarri mesditën e sotme në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 në vendin e quajtur “Rus”, pranë Shkollës së Muzikës, në lagjen “Fahri Ramadani”.

Paraprakisht, dyshohet se dy persona që lëviznin me një motoçikletë kanë qëlluar në drejtim të një këmbësori, por plumbat kanë kapur gabimisht shitësen 49 – vjeçare, Flutura Muça.

Gruaja është transportuar në spitalin e Shkodrës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia thotë se ka ngritur pika kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve dhe vendosjen para përgjegjësisë penale./tvklan.al