Ish-pronari i një prej restoranteve më të njohura në Tiranë është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Burime nga Policia e Tiranës thonë për tvklan.al se i plagosuri është Pëllumb Gjoka 43 vjeç. Ai është ish-pronari i restorant “Rozafa”.

Pëllumb Gjoka është qëlluar me armë zjarri në zonën e “Pazarit të Ri” në kryeqytet nga 40-vjeçari Kleant Musabelliu. Ky i fundit është arrestuar nga policia dhe është shoqëruar në komisariat.

Policia  e Tiranës bën me dije se mes dy personave ka patur një konflikt që përfundoi me përdorimin e armëve. Biznesmeni Pëllumb Gjoka u qëllua në këmbë dhe është jashtë rrezikut. Ai u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

/tvklan.al

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Tiranë.

Zbrdhen motivet e plagosjes së ndodhur tek “Pazari i Ri”.

Më datë 11.09.2017, rreth orës 21:00, në zonën e Pazarit të Ri shtetasi Kleant Musabelliu, 43 vjeç, me detyrë specialist i SHKB – së së burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Pëllumb Gjoka, 46 vjeç, i cili është plagosur në pjesën e këmbës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e deritanishme mësohet se djemtë e shtetasve të sipërmëndur janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe shtetasit e mësipërm ishin takuar në zonën e “Pazarit të Ri” për të biseduar në lidhje me konfiktin e ndodhur midis fëmijëve të tyre.

Mësohet se biseda midis shtetasit Klenat Muasabelliut me shtetasin Pëllumb Gjoka, ka kaluar në konflikt, ku shtetasi Kleant Musabelliu, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Pëllumb Gjoka, 46 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në njërën gjymtyrë (këmbë) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori është arrestuar dhe ndodhet në ambientet e D.V.P. Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale.