Një i ri është plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në kryeqytet.

Policia tha se rreth orës 18:20, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, është qëlluar me armë zjarri në këmbë D.Rr. 26 vjeç,  lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se i plagosuri ishte  dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Nga dëshmia paraprake e dhënë nga i plagosuri dhe nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është mësuar se, dy shtetas i janë afruar me një motor me ngjyrë të zezë dhe me skafandra në kokë ku pasagjeri i motorit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka qëlluar në këmbë 26-vjeçarit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve./tvklan.al