Policia e Vlorës ka ndërmarrë një plan masash për parandalimin, evidentimin, goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Monitorim nga ajri e toka për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Në monitorim edhe njësia e GdF-së për Vlorën, pjesë e Nuklit për Kufirin Detar me komandë qendrore në Durrës.

Gjatë ditës së sotme në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është zhvilluar një takim pune për të koordinuar veprimet mes Policisë së Shtetit dhe GdF-së, për monitorimin nga ajri, deti e toka, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të trafikimit të tyre.

Në takim morën pjesë Drejtori për Krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Shehaj, Komandanti i njësisë së GdF-së për Vlorën Kapiten Francesco Della Corte.

Shehaj:

“Do kontrollojmë me përgjegjësi çdo cep të territorit nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë.

Çdo parcelë e kultivuar që do të konstatohet, do të analizohet dhe do të nxirren personat përgjegjës që ngarkon ligji për kontrollin e territorit.

Në bashkëpunim me Pushtetin Vendor po koordinojmë veprimet për të realizuar një kontroll sa më të mirë të territorit.

Po bashkëpunojmë me të gjitha agjensitë ligjzbatuese, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni në kohë reale, për të bërë të mundur goditjen e rasteve që mund të shfaqen, por edhe për evidentimin dhe kapjen e autorëve”.

Della Corte:

“Mbështetim dhe vlerësojmë impenjimin dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit, për të parandaluar dhe goditur kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Vendore, Policisë Kufitare, “Delta Forcës” e njësisë së GdF-së për Vlorën.

Njësia e GdF-së për Vlorën, do të mbështesë Policinë e Shtetit me mjete ujore me qëllim kontrollin e plotë të të gjithë kufirit bregdetar, krahas monitorimt nga ajri me helikopterin e Policisë në zonat  e cilësuara me risk”.

Shtëmbari:

“Ju përcjell mesazhin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, se jemi të vendosur të ndëshkojmë cilindo punonjës policie, që do të neglizhojë në zbatimin e detyrës, apo më keq akoma që mund të implikohet në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Do të mbështetim nga qendra çdo Drejtori Vendore të Policisë me mjete logjistike e forca policore të FNSH-së e RENEA-s, në rast se do të lindë nevoja.

Krahas monitorimit nga ajri të GdF-së, do të ketë monitorim edhe me helikopterin e Policisë së Shtetit, në të gjithë territorin e vendit”.

Gjatë ditës së sotme me anë të helikopterit të Policisë, u monitorua dhe u kontrollua zona përgjatë Lumit të Vlorës, territori i Bashkisë Selenicë, në fshatrat: Drashovicë, Gjormë, Lapardha, Mesaplik, Sevaster, Velç, Gorisht, Karaburun, Selenicë, Treblovë si  dhe territori i Bashkisë Himarë, me fshatrat: Vranisht, Kallarat, Kuç e Bolenë.

Gjatë monitorimit dhe kontrollit të zonave me risk, zona ku vitet e kaluara ishin evidentuar bimë narkotike të kultivuara apo edhe pjesëve të tjera të territorit, nuk është evidentuar asnjë parcelë e kultivuar.

Të gjitha kontrollet nga ajri janë filmuar dhe do të vihen edhe në dispozicion të GdF-së, me qëllim koordinimin e monitorimit, por edhe të rikontrollit nga GdF-ja, në javët në vijim.

Monitorimet nga ajri, deti e toka do të intensifikohen më tej në ditët në vijim./tvklan.al