Michel Platini dha dorëheqjen nga posti i presidentit të UEFA-s, pasi gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë uli nga 6 në 4 vjet dënimin e Komisioneve te Fifa-s. Një tjetër betejë e humbur e Platini, i cili duhet të qëndrojë larg futbollit për të pakten 4 vjet.

Francezi i cili drejtonte UEFA-n prej 2007 u pezullua në fund të vitit të kaluar për shkak të një pagese të parregullt prej 2 milionë dollarësh që kishte  marrë nga FIFA në kohën kur ishte këshilltar pranë Sep Blater  në fillim të viteve 2000.

Platini kërkoi heqjen e dënimit, por argumentat e tij nuk bindën gjykatësit. Michel Platini nuk u zëvendësua, por në vend të tij u komandua një tjetër drejtues deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Tashmë UEFA duhet të zgjedhë një president të ri. Vendimi për rrugën që duhet ndjekur do të merret më 18 maj në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Tv Klan